
Ashtu siç ishte paralajmeruar, opozita e bashkuar ka protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka folur para protestuesve të shumtë të mbledhur para godinës së Kryeministrisë. Basha është shprehur se prania e shumtë e protestueseve tregon se shqiptarët nuk i mbyllin sytë para drogës dhe krimit.
“Sot më shumë se kurrë sytë tanë kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi, edhe pse ajo shkëlqen nga larg. Sot jemi mbledhur me qindra mijëra për të treguar se jemi europianë. Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojnë se nuk pranojmë autokracinë, se nuk mbyllim sytë përpara drogës. Kohë më parë popullit ju premtuan vende pune. Të vetmet që u hapën janë ato në fushat e drogës. Kohë më parë këtij populli ju premtua drejtësi, por e vetmja drejtësi që kjo qeveri solli është mbrojtja për kriminelët. Ndaj sot shqiptarët largohen nga vendi i tyre”, tha Basha.
Përpara protestuesve, kryedemokrati deklaroi se pas 5 vitesh, Rilindja ka ndërtuar aktivitet kriminal, pushteti buron nga pazaret nga paraja, jo nga njerëzit e lirë por nga forca e dhunës, jo nga vetëdija qytetare, por nga mashtrimi, ndaj pushteti i sotëm nuk është pushteti i njerëzve, por i një pakice të zhytur e që zhytet në krim.
Më tej gjatë fjalës së tij, kreu i opozitës deklaroi se ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga populli i bashkuar.
"Ky është momenti ynë. Ne të lëshohemi drejt të ardhmes europiane", tha Basha.
Kreu i PD e ka mbyllur fjalen me thirrjen drejtuar protestuesve per te vijuar marshimin e protestes ne sheshin “Skenderbej”.
“Të gjithë së bashku nga balli i kësaj proteste, para Skënderbeut na ndiqni, më ndiqni, vazhdojmë të gjithë, marshimin tonë", tha Basha.
Disa protestues kanë hedhur tymuese drejt kryeministrisë, ndërkohe që Basha po mbante fjalimin poshte zyres se Rames ne podiumin e improvizuar.



