
Kryeministri Albin Kurti theksoi sot pas takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch se kapitulli i dialogut duhet të marrë parasysh përpjekjet e Serbisë për aneksim.
Kurti ka thënë se i informoi ata me informacionet më të reja mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit si dhe implikimin e Beogradit zyrtar në këtë sulm.
Sipas Kurtit sulmi i Banjskës ka qenë pjesë e planit më të gjerë për aneksimin e Veriut të Kosovës përmes sulmeve të koordinuara në 37 lokacione.
“Institucionet e inteligjencës kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut të sulmeve nga Serbia. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë prandaj të gjitha këto përpjekjet për destabilizim duhet të ndërpriten tani. Dialogu i lehtësuar nga BE nuk mund të vazhdoj thuajse nuk ka ndodhur asgjë. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh edhe veprimet agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Duhet të merren hapa që dialogu të ketë edhe një shans që të ketë sukses. Është më urgjente se kurrë më parë që Serbia të ndërpres fjalën se nuk do ta njohë kurrë Kosovën”, ka thënë Kurti.



