Gazetarja shqiptare në Itali, Alba Kepi takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama në vendin fqinj me emigrantët shqiptarë, e krahasoi me një koncert, duke deklaruar se i tillë ishte organizuar.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve të MCN TV, Kepi tha se fjalimi i Ramës iu duk më tepër për diplomacinë europiane dhe jo për emigrantët.
Nga ana tjetër, sipas saj, kreu i qeverisë shqiptare gjatë aktivitetit me shqiptarët e Italisë ditën e sotme, e shmangu qëllimisht përmendjen e votës së diasporës, pasi ka nevojë për votën e tyre.

Ishte një organizim siç e kishte parashikuar dhe posteri i kryeministrit, bazohej në mbledhjen më të mirë të artistëve shqiptare dhe fansave të tyre që jetojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, si Elhaida Dani, Alban Skënderaj, Noizy, të cilët e kanë nisur gjithçka pasi kanë qenë emigrantë në Itali.
Fuqizoi pjesëmarrjen e këngëtarëve në këtë takim, ndoshta i shqetësuar se nuk do të kishte pjesëmarrjeen në Athinë.
Fjalimi mu duk jo si për emigrantët, por për diplomacinë europiane. Vëmendjen gjithmonë e kishte tek mesazhi që do të përcillte te BE, tek ata që mund të dëgjonin se çfarë tha.
I mëshoi faktit se Shqipëria ndodhet gjeografikisht në zemër të Europës. E bëri duke përmendur zemrën e Shqipërisë së madhe.
E nisi e arbëreshët, vazhdoi me Shqipërinë e re dhe punën që kishte bërë në qeverisje.
Theksoi se kishte ardhur momenti që si Arbëria e vjetër dhe Shqipëria e re, është koha të jenë në BE.
Për skenat e vrapimit të të pranishmëve duhet parë se çfarë ndodhi.
Pamë një stadium të mbushur me njerëz, me ftesa apo me gjithçka të organizuar, apo me militantë të PS, administratë publike.
Pamë edhe një numër tjetër shqiptarësh jashtë kangjellave, ndoshta të lënë jashtë qëllimisht, për të treguar se kryeministri Rama me zi po pritej nga emigrantët, dhe hapja e kangjellave kur Rama mbërriti në koncert, e pashë pikërisht të qëllimshme.
Marrëveshjen me pensionet Rama e përmendi në fjalimin e tij, por e shoh një marrëveshje teorikisht të mbaruar, praktikisht ende jo të filluar.
Tani presim rrugëtimin e kësaj marrëveshje në dy dhomat e parlamentit italian.
Rama tha se janë 421 mijë emigrantë që do përfitojnë nga kjo marrëveshje, kjo shifër është shumë e ekzagjeruar, ende nuk i dimë kushtet, por janë disa dhjetëra mijëra që mund të përfitojnë.
Mos përmendja e votës së diasporës mendoj se është e qëllimshme, pasi kërkoi të shmangë debate të reja në rrafshin politik në Shqipëri.
Shmangu një premtim jo të mbajtur në momentin që i duhet vota e diasporës, në momentin që ka ngelur në ngërç.
Prapaskena elektorale ka plotë dhe fakti se ky manifestim është mbajtur në zonën e Lombardisë, ku është përqindja më e madhe e sipërmarrësve shqiptarë.
Është organizuar nga sipërmarrës shqiptarë dhe pas organizimeve të tilla ka prapavija politike pa dyshim.



