Një deklaratë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili është shprehur se ligji aktual për gjuhët zyrtare në RMV krijon kaos, ka hapur debat. Ardian Stafai, profesor në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, në një intervistë për MCN Informacion, tha se çdo përpjekje për ndryshimin e ligjit për gjuhët cenon marrëveshjen e Ohrit dhe rrjedhimisht edhe stabilitetin e vendit.
Problemi kryesor nuk është juridik, por politik. Është substanciale ruajtja e Marrëveshjes së Ohrit. Ligji për gjuhët është një nga shtyllat e saj. Nëse dobësohet fryma e kësaj marrëveshjeje, atëherë vihen në diskutim edhe shumë tema të tjera, të cilat janë të domosdoshme për stabilitetin e vendit.
Nëse vijmë deri te mospërdorimi i gjuhës shqipe nëpër institucionet gjyqësore, atëherë kemi krijim të destabilizimit. Kjo marrëveshje është bazë e stabilitetit.
Debati për ligjin e gjuhëve ndikon në besimin e qytetarëve te institucionet. Kjo ngre pikëpyetjen nëse të drejtat e fituara janë apo jo të garantuara.



