
Detaje të reja janë zbuluar nga krimi i ndodhur mbrëmjen e së dielës në Elbasan, ku biznesmeni Mondi Mëhalla u ekzekutua me armë zjarri, pasi doli nga zyra e biznesit të tij.
Gazetarja Entela Duka raportoi për “MCN Live” se një makinë e djegur e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët e krimit, është gjetur mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Mirakë, në aksin rrugor Elbasan- Librazhd.
Automjeti dyshohet se është përdorur në ekzekutimin e biznesmenit dhe është gjetur i djegur totalisht shumë pranë aksit nacional. Policia po këqyr mjetin e djegur me detaje, për të gjetur ndonjë gjurmë nga autorët apo diçka që mund t'i shërbej grupit hetimor.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se brenda makinës është gjetur dhe një pistoletë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20.35 në lagjen “Emin Matraxhiu”. Biznesmeni sapo kishte dalë nga zyra e biznesit të tij, një pikë karburanti, sa kishte hipur në makinën Range Rover e tij, kur është qëlluar. Dy plumba e kanë goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Nga pamjet e makinës, shihet se është shtënë disa herë në drejtim të mjetit, ka pasur dhe plumba të tjerë në qafë dhe brinjë. Por dy plumbat në kokë i kanë shkaktuar vdekjen. 43-vjeçari Edmond Hyka njihej në Elbasan si Mondi Mëhalla.
Përveç karburantit, viktima rezulton bashkëpronar në një flotë mjetesh taksi elektrike, prej dy vitesh. Viktima kishte takuar nënën fillimisht, para se të hipte në makinë. Autorët paraprakisht thuhet se kanë qenë dy, njëri ka dalë nga një Audi mbi 43-vjeçarin.
Viktima është emër jo i panjohur për policinë, i skeduar më herët për posedim lëndësh narkotike, armëmbajtje pa leje. Për lëndët narkotike, ishte një aktivitet që kishte çështje të hapura jashtë Shqipërisë.
Janë 22 persona të shoqëruar, por autorët nuk janë identifikuar ende nga policia. Ai jetonte në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, me gruan dhe dy fëmijët e tij. Ndërsa në Elbasan kishte bizneset, prindërit dhe motrën.
Ditët e fundit ai ka patur një konflikt, por nuk bëhet e ditur se cilët janë personat e përfshirë në konflikt. Dyshimet janë se bëhet fjalë për atentat mafioz të mirëorganizuar.



