Moti i keq ka shkaktuar dje disa problematika në Maliq të Korçës, ku lumenjtë Dunavec dhe Devoll kanë dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje tokash, ndërsa sot situata paraqitet më e normalizuar. Në total raportohet për 10-15 hektarë tokë të përmbytur, që ka sjellë dëme ekonomike për fermerët, në patate, grurë dhe misër.
Korrespondentja Elsa Xhindole në një raportim për Mcn Live bën me dije:
“Sot kemi një situatë më të normalizuar dhe më të qetë në qarkun e Korçës, krahasuar me qarqet e tjera. Mbrëmjen e djeshme kemi patur problematika të shumta sa i përket qytetit të Maliqit, ku lumenjtë Dunavec dhe Devoll kanë dalë nga shtrati dhe kanë sjellë përmbytjen e tokave bujqësore në zonën e Maliqit. Sipas fermerëve kjo situatë ka sjellë dëme të shumta ekonomike për familjet e tyre. Konkretisht kemi dëme në patate, grurë edhe misër. Sipas kryetarit të Bashkisë së Maliqit është shprehur se kemi 10-15 hektarë të përmbytur. Edhe mbrëmjen e djeshme në Bashkinë Devoll, në fshatin Çetë, ura e këtij segmenti është dëmtuar dhe strukturat vendore kanë marrë masa për ndalimin e qarkullimit. Është dëmtuar edhe ura e Arrzës, por aksesi në fshat bëhet nga një urë alternative”.



