
Talebanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë.
Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë dhe të paktën 1500 janë plagosur, ndërsa shumë të tjerw janë nën rrënojat e shtëpive të rrënuara, shpesh të ndërtuara nga balta.
Provinca juglindore Paktika është goditur më së shumti dhe OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim emergjent dhe ndihmë ushqimore.
Përpjekjet e shpëtimit po pengohen nga reshjet e dendura të shiut dhe mungesa e burimeve.

Të mbijetuarit dhe shpëtuesit i kanë thënë BBC-së për fshatrat e shkatërruar plotësisht pranë epiqendrës së tërmetit, për rrugët e rrënuara dhe kullat e telefonave celularë dhe për frikën e tyre se numri i të vdekurve do të rritet më tej.
Tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.
Tërmeti goditi rreth 44 km (27 milje) nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi.
Afganistani është në mes të një krize humanitare dhe ekonomike, dhe Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë i talebanëve, tha se qeveria ishte "e paaftë financiarisht të ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme".
Kreu i Kombeve të Bashkuara, António Guterres tha se agjencia ishte "mobilizuar plotësisht" për katastrofën. Ekipet shëndetësore, furnizimet mjekësore, ushqimi dhe strehimoret e urgjencës ishin rrugës për në zonën e tërmetit, thanë zyrtarët e OKB-së.



