
Kreu i SPAK Altin Dumani bëri sot me dije se 43 materiale kallëzuese që lidhen me krimet zgjedhore janë në process hetimi. Ai tha se janë ushtruar kontrolle në banesa, zyra personale, si dhe janë sekeustruar dokumente e prova të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Sipas drejtuesit të organit të akuzës sfidat nuk janë të pakta, duke iu referuar materialeve të depozituara në SPAK nga partitë politike, që sipas tij kanë qenë shpesh të pa plota.
“Janë administruar gjithësej 192 materiale që lidhen me dyshime për krimet zgjedhore, nga këto 43 materiale kallëzuese janë regjistruar si procedime penale, pra kanë kaluar në fazën e hetimit. Nga 43 procedime penale të regjistruara, 22 janë inicuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 1 procedim nga shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve, 9 kryesisht, 3 si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm, 3 nga prokuroritë e rretheve dhe 4 nga subjektet politike. 35 procedime janë regjistruar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, 4 për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje.
Hetimet për shumë nga procedimet penale janë aktive. Janë ushtruar disa kontrolle në banesa, zyra personale. Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve të ndryshme dhe personave të ndryshëm, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishëm që do i shërbejnë procesit të hetimit. Megjithatë sfidat nuk janë të pakta, duke iu referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK kemi vënë re se kallëzimet e tyre kanë qenë shpesh të paplota dhe jo të sakta”.



