Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, foli për mediat, pas eliminimit që të kuqtë pësuan në gjysmëfinale të Kupës, ndaj Vllaznisë.
Rama deklaroi se në Shkodër priste më shumë tifozë. Më tej ai u shpreh se ka qenë një trofe i mallkuar për Partizanin, ndërsa shtoi se në fillim të sezonit nuk është prioritet për skuadrën.
Në radhë të parë urime Vllaznisë. Pas këtyre 120 minutave mendoj se e meritoi të dilte në finale. Ne u përpoqëm të bënim atë që duhej të bënim, por nuk ia dolëm dot.
Prisja më shumë tifozë në Shkodër, në një ditë të bukur si kjo e sotmja. Shpresoj që në ndeshjet e tjera t’i kemi edhe më entuziastë dhe më të bukura.
Kupa është një trofe që ka qenë pak i mallkuar për Partizanin në vitet e fundit. Nuk është prioriteti i Partizanit kur fillon një sezon, por është një trofe dhe mundohemi t’i japim rëndësinë e duhur gjithmonë. Arritëm në gjysmëfinale dhe shpresojmë që vitin tjetër të bëjmë më mirë në Kupë



