Arrestimi në Francë i Ermal Beqirit, i cili sipas të dhënave paraprake dyshohet se është ndaluar teksa pilotonte një avion pranë një centrali bërthamor, ka rikthyer në vëmendje çështjen e hetimeve ndaj tij dhe lidhjeve të mundshme me persona të tjerë të përfshirë në skema të dyshuara kriminale.
Avokati Romeo Kara, në “MCN Live”, deklaroi se largimi i Beqirit nga Shqipëria dhe ndalimi i tij jashtë vendit nuk e favorizojnë situatën ligjore të tij. Sipas tij, çështja mund të sjellë zhvillime të reja, ndërsa ai shprehu bindjen se Beqiri mund të vendosë të bashkëpunojë me drejtësinë.
Fakti që ka thyer ligjin këtu dhe ka ikur nuk e favorizon atë. Një nga biznesmenët e certifikuar për sigurinë ka molepsur dy institucione të rëndësishme, AKSH-in, KPP-në dhe policinë. Kjo tregon se kemi një grup kriminal përtej përmasave që kemi pasur deri tani. Unë besoj se Beqiri do të flasë për bashkëpunëtorët e tij, sepse nëse do të gjejë boshllëqe për të shpëtuar veten, ai do t’i kallëzojë një nga një.
Avokati ngriti pikëpyetje edhe mbi rrethanat e ndalimit të tij në Francë, duke kërkuar sqarime nëse Beqiri ka udhëtuar vetë drejt këtij vendi apo është dërguar atje, si dhe çfarë garancish ka pasur për qëndrimin e tij.
Nëse ka qenë rastësisht ulja e avionit aty, hetimi do ta tregojë pse është ulur mbi atë central kur u ngrit. Por personat e korruptuar flirtojnë edhe me rrymat evropiane. Çuditem pse ai ka vajtur të kërkojë strehim në Francë, kur nga aty rrezikon të ekstradohet. A e kanë çuar në Francë apo ka vajtur vetë? Çfarë garancie ka pasur? Ndërkohë që ka ikur, ka hapur krahët dhe fluturon atje. Besoj se do të ketë një hetim edhe atje.
Kara shtoi se ndaj Beqirit mund të nisë një procedurë ekstradimi, ndërsa sipas tij, rruga për të shmangur kthimin në Shqipëri do të ishte e ngjashme me atë të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ka pretenduar se i rrezikohet jeta.
Do të kemi një procedurë ekstradimi që ka afate 18 dhe 40 ditë. E vetmja mënyrë që ai të shmangë ekstradimin do të jetë ajo që po përdor Ahmetaj, duke pretenduar se i rrezikohet jeta. Por këtë duhet ta vërtetojë me prova të forta. Prandaj mendoj se do të kemi një odise interesante dhe do të ketë ngjarje të reja.
Duke folur për kompanitë dhe pasuritë e sekuestruara, Kara kërkoi që institucionet të veprojnë sipas ligjit dhe të mos lejojnë që aktivitetet ekonomike të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë.
Ata duhet ta administrojnë me ligj shoqërinë e sekuestruar, por jo të vijojnë me të njëjtat avaze, sepse i bie që kanë kapur edhe atë pjesë të sekuestruar. Këta persona janë në arrati dhe prodhojnë ende para. Përfitimet nuk u largohen këtyre. Kjo është një qasje më shumë se e çmendur. I kanë kapur kaq mirë institucionet sa nuk heqin dorë.
Në përfundim, avokati bëri thirrje për një reagim më të fortë institucional, duke pretenduar se rastet e tilla tregojnë nevojën për një kthesë në mënyrën se si funksionon drejtësia.
Për mua ata nuk e kanë kapur shtetin, por e kanë mbërthyer atë. Kemi parë raste të tjera ku bëhen arrestime, por këta janë bashkë. Vidh e vidh, na iku jeta duke parë Beqirët të vjedhin. Këta kanë kapur ministra e me radhë, ndërsa pyetet dikush për kapjen e një nëpunësi aty. Duhet të bëhet një pikë kthese e rëndësishme. Nuk i kemi ndëshkuar këta dhe ai fluturon i qetë në mes të Europës.



