Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, doli dje pasdite para mediave për të denoncuar dhunën ndaj disa eksponentëve të partisë. Numri dy i LSI-së foli për banda të organizuara politike, të cilat sipas tij drejtohen nga qarqe të caktuara të Policisë së Shtetit.
“Jam në këtë konferencë për shtyp për të denoncuar përshkallëzimin e akteve të dhunës të bandave të organizuara politike, që nën mbështetjen e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit sot janë shfaqur me fytyrën e tyre të vërtetë me disa akte kriminale. Është goditur me mjete të forta në Fushë-Krujë, Blerim Çela, anëtar i LSI-së, koordinator atje i cili bashkë me një grup veprimtarësh të tjerë prisnin të nisnin analizën e punës. Persona të armatosur e kanë qëlluar atë me levë në kokë. Mos veprimi i komisariatit të policisë në Fushë-Krujë është skandaloz, ashtu sikundër edhe komisariati në Pukë, pasi persona të shumtë, burra, cuba, banditë të Rilindjes kanë dhunuar dy gra, kryetaren e LSI dhe atë të LRI”, tha Luan Rama.
Ai foli me emra konkretë për autorët e dyshuar të dhunës në Pukë. “Disa prej tyre janë Astrit Kuçi, Pal Doçi, Pëllumb Prenga. Kemi informuar strukturat përkatëse, kemi denoncuar targat dhe presim reagimin ligjor të këtyre struktura. Kjo situatë e gjen zanafillën te thirrja e kryetarit të Rilindjes që i fton policët të marrin vota”, tha ai duke shtuar se drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako, duhet të shkarkohet.



