Më 27 mars Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë padinë e tre magjistratëve ndaj Komisionit të Posaçëm të Verfikimit, të cilët e eliminuan nga gara ndonëse kishin kaluar më herët Vetingun.
Gjykata Administrative e ka dërguar çështjen për një shpjegim shterues në Gjykatën Kushtetuese.
Një nga argumentet për skualifikimin e gjyqtarit Gerd Hoxha nga gara për në Gjykatën Anti-Korrupsion, është edhe një foto ku ai shtrëngon duart me kryebashkiakun Veliaj, në një event të ambasadës britanike.
Në një raportim për MCN Live gazetari Arsen Rusta bën me dije:
“Vendimi i Komisionit të Posaçëm të Verfikimeve në Prokurorinë e Posaçme, Gjykatën e Posaçme, ngritur vitin e shkuar, bëri që në shtator të kishim eliminimin e tre kandidatëve të cilët ishin kualifikuar më herët si nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e strukturave të posaçme. E pikërisht ky komision i ngritur me anëtarë, prokurorë, oficerë të BKH-së, e gjyqtarë, sipas tre ankimuesve është anti-kushtetues pasi s’është i parashikuar në ligjin për funksionimin dhe organizimin e pushtetit gjyqësor. Janë tre magjistratë Gerd Hoxha, Ndini Tavani, Sonila Muhametaj, të cilët i janë drejtuar Gjykatës Administrative, për të shpallur të pavlefshëm vendimin administrativ që i skualifikon nga gara, edhe pse më herët ishin kualifikuar me procesin e Vetingut. Gjykata Administrative e ka dërguar çështjen për një shpjegim shterues në Gjykatën Kushtetuese. Një nga argumentet e dhëna dhe e cila është pjesë e ankimit në Gjykatën Administrative është edhe një shtrëngim duarsh me krybashkiakun Veliaj, teksa ka qenë një festë e ambasadës britanike në Shqipëri. Arma më e fortë e tre magjistratëve është argumenti se e kanë kaluar Vetingun”.



