Një 15-vjeçar mbeti i plagosur në Elbasan gjatë një sherri jashtë mjediseve të një lokali. S.P., 15 vjeç, është qëlluar me thikë nga një 16-vjeçar, i cili u identifikua pak pas ngjarjes dhe po punohet për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë referimin e materialeve në Prokurori dhe po punojnë intensivisht për kapjen e shtetasit I.K., 16 vjeç banues në Elbasan.
Ky shtetas, në Lagjen “Visarion Xhuvani” në ambientet e jashtme të një lokali, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta dyshohet të ketë qëlluar dy herë me thikë shtetasin S.P., 15 vjeç banues në Elbasan.
Shtetasi S.P. ndodhet në Spitalin Kirurgjik Elbasan, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76, 22, 88 dhe 279 të Kodit Penal.



