Tensionet në veri të Kosovës janë rikthyer sërish sot.
Në Rudarë të Zveçanit dhe në Leposaviq - të dyja komuna me shumicë serbe - janë bllokuar rrugët, teksa në Mitrovicën e Veriut janë dëgjuar edhe sirenat.
Tensionimi i situatës vjen vetëm pak orë pas arrestimit të ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiç është arrestuar, pasi ka dëshmi se ai ka organizuar "sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit".
Po sot, gjatë orëve të pasdites, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Autoritetet e rendit kërkuan që qytetarët të përdorin për qarkullim pikëkalime të tjera.
Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e Pantiç.
“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.



