Fshati Fushë-Studën ka nisur të shndërrohet në një prej destinacioneve më të frekuentuara në vend sa i përket turizmit malor.
Kjo zonë, që ndodhet në Njësinë Administrative Stëblevë në Librazhd t’i ofron të gjitha, ajrin, ujin dhe natyrën e bukur, e cila është kurorëzuar me një liqen që vit pas viti tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, turistët mund të shijojnë këtu peshkim në ujërat malore, ecje sportive, alpinizëm dhe shumë atraksione të tjera që ky vend ofron. Ata vijnë nga e gjithë Shqipëria, por dhe të huajt kanë nisur ta përfshijnë në guidat e tyre turistike.
Si pasojë e rritjes së interesit për ta vizituar, në zonë janë ngritur disa njësi shërbimi. Ushqimet bio dhe qetësia larg zhurmës së zonës urbane janë oferta tunduese e Fushë Studënit.



