
Shenjat e mavijosjes në trupin e Alexei Navalny mund të tregojnë se opozitar rus u vra me “një grusht në zemër”, një teknikë e përdorur dikur nga agjentët e KGB-s, pohon Vladimir Osechkin i OJQ-së për të drejtat e njeriut Gulagu.ru, i cili foli me The Times, duke cituar një burim që ka punuar në koloninë penale të Arktikut ku Navalny vdiq të premten e kaluar.
Navalny ishte mbajtur për orë të tëra i ekspozuar ndaj të ftohtit ekstrem të gjerësive gjeografike ku ndodhet burgu ku vdiq.
47-vjeçari ishte detyruar të kalonte më shumë se dy orë e gjysmë jashtë në një hapësirë izolimi ku temperatura mund të shkojë në -27, tha Osechkin.
Normalisht të burgosurit mbahen jashtë për jo më shumë se një orë, dhe kur kushtet janë kaq ekstreme edhe më pak.
Mendoj se ata fillimisht ia shkatërruan trupin duke e mbajtur në të ftohtë për një kohë të gjatë dhe duke ngadalësuar qarkullimin e tij të gjakut në minimum.
Dhe pastaj bëhet shumë e lehtë të vrasësh dikë, në pak sekonda, nëse agjenti ka përvojë në këtë fushë.
Është një metodë e vjetër e divizioneve të forcave speciale të KGB-së. Ata stërvitën agjentët e tyre për të vrarë një njeri me grusht në zemër, në qendër të trupit.
Ishte një shenjë dalluese e KGB-së.
Ndërkohë, gjykata në qytetin e Salechard, Rusi, ka marrë një ankesë nga Lyudmila Navalnaya, nëna e Navalny-t, kundër Komitetit Hetimor të Federatës Ruse për moskthimin e trupit të djalit të saj, i cili vdiq në një burg të sigurisë maksimale të premten e kaluar.



