Dhjetëra e qindra malazezë protestuan në Podgoricë për masakrën me 12 viktima të datës 1 janar ku kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Pas 12 minutave heshtje për 12 viktimat, të vendosur përpara Ministrisë së Brendshme protestuesit kërkuan largimin e ministrit Danilo Sharanovic dhe zëvendëskryeministrit Aleksa Becic.
‘Ju nuk arritët të na mbroni, ndaj jepni dorëheqjen’, ka qene thirrja e protestuesve.
"Ne kemi ardhur këtu për një përgjigje. Pse për herë të dytë në Cetinjë ndodhë një masakër e tillë? Pse as këtë radhë nuk ka një përgjegjës? Pse është kaq e vështirë për të dhënë dorëheqjen?”, tha Maja Gardasheviq, organizatore e protestës.
Thirrjet ‘dorëheqje’ dhe ‘vrasës’ dominuan edhe qendrën e Cetinjës, vendin ku ndodhi ngjarja pasi një grup protestuesish u mblodhën në këtë të fundit.
Protesta në Mal te Zi vjen pas masakrës së 1 janarit ku 12 persona mbetën të vrarë nga të shtënat masive të një 45-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Ngjarje për të cilën qytetaret fajësojnë Ministrinë e Brendshme dhe policinë që nuk arriti ta parandalonte dhe që sipas tyre nuk po bën mjaftueshëm për sigurinë në vend.
Megjithatë vetë autoritetet e kanë cilësuar të pamundur parandalimin e një akti të tillë pavarësisht se autori në fjale ishte një person i njohur për drejtësinë malazeze pasi më herët ishte dënuar për sjellje të dhunshme.
Pas kësaj ngjarje policia ka nisur një sërë kontrollesh për armëmbajtje pa leje gjatë të cilave ka arritur të konfiskojë 20 armë dhe mbi 500 fishekë municionesh dhe eksplozivë. Ndërkohë masakra me 12 të vrarë vjen vetëm dy vite pas asaj të 2022 ku në një sulm të ngjashëm u shënuan 10 viktima.



