
Leonard Mitro, kryeeredaktor i MCN, ka komentuar nga studio e lajmeve protestën e një dite më parë të organizuar nga Sali Berisha. Mitro tha se, me këmbënguljen e tij, Berisha arriti të imponojë dhe grupin e deputetëve të mënjanuar.
Ai tha se kjo është një politikë rrethanore sepse janë rrethanat ato që e sollën deri këtu, pasi ka shumë pakënaqësi dhe se demokracia është e pakonsoliduar.
Për Mitron, se sa do arrijë Berisha të tejkalojë opozita veten e vet, kjo mbetet për t'u parë në zgjedhjet e ardhshme.
Ka disa dimensione. Një prej tyre është nëse mundi opozita të dalë jashtë vetes së vet për të rritur peshën politike që ka PD dhe tjetra bie dakord që Berisha arriti t'u imponohet dhe deputetëve që ishin të distancuar, deputetë që janë në negociatë dhe politikë. Berisha me këmbënguljen e vet dhe organizmin po arrin t'i imponohet dhe këtij grupi. Konjuktura ekonomike e ka favorizuar, aty mund të kishte militantë, siç ka ndodhur dhe në protesta të tjera. Se sa do arrijë Berisha të tejkalojë opozita veten e vet, kjo mbetet për t'u parë në zgjedhjet e ardhshme.
Më tej, ai tha se mënyra me të cilën ka operuar Rama qëkur ka ardhur në pushtet ka qenë ajo përmes propagandës, ku gjithë qeveria dhe pushteti lokal tani ka marrë modelin e tij për të marketuar çdo lëvizje dhe ndryshim sado të vogël.
Një javë më parë pamë dasmën e Kardhiqit. Nuk duhet të harrojmë kontekstin e kësaj shfaqjeje që shohim, nuk jemi një vend normal, jemi një vend ku demokracia është e pakonsoliduar. Qytetarët kanë shqetësime reale prandaj them se është një konjukture e realitetit sot që e favorizon opozitën, por se sa i besueshëm do jetë Berisha me ekipin që do prezantojëmbetet për t'u parë, sepse dua të them se kjo është një politikë rrethanore, janë rrethanat ato që e sollën deri këtu.
I pyetur për vijimësinë e protestave të Berishës, Mitro u shpreh se Berisha ka shansin të rilindë ose të përsërisë veten. Sipas tij, Berisha shiti çdo kauzë të opozitës dhe ditën e djeshme nuk u pa të fliste fare për drejtësinë që është dhe kolona e demokracisë.
Kjo mbetet për t'i parë sepse Berisha ka shansin të rilindë ose të përsërisë veten. Të çmontosh një kullë të Babelit që ka ngritur Rama me grupet e veta të interesit është jashtëzakonisht e vështirë, kërkon shumë kohë dhe mesazhi kryesor i Berishës dje ishte shpallja armik e Ramës, por sikur nesër Rama të jetë "i dashur armik"? Berisha i la të gjitha kauzat në mes dhe në këtë pikëpamje nëse çdo akuzë "boll vodhe" dhe "shko në shpi", do mbetet vetëm në akuzë, atëherë Rama do kthehet në "i dashur armik". Nëse Berisha do ketë një platformë, ai nuk foli fare dje për drejtësinë, ajo është kolona e demokracisë.
Ndër të tjera, ai shtoi se dhe me këtë opozitë nga ajo që pamë dje, pavarësisht përpjekjeve për të rregulluar, mbetemi te opozita e Berishës dhe kjo nuk e tejkalon dot që të kemi një opozitë moderne sepse po të ishte e tillë, do i kishte shkurtuar ditët qeverisë Rama.
Megjithatë nuk përjashtoj atë që Rama të bëjë atë që bën më mirë: të ndërmarrë një nismë ligjore duke ndërhyrë në Kushtetutë për të demokratizuar vendin, por dhe për t'u dhënë një mesazh të vetëve dhe shoqërisë. Ai do bëjë operacionin e imazhit, atë që e di të bëjë më mirë. Duke qenë se shumë ministra janë përmendur për inceneratorët apo dhe shumë të tjera, këtë Rama e ka treguar kur nuk i janë dashur figura me peshë i ka zhvendosur të 18-tët në listë. Nisur dhe nga karakteri i tij politik, Rama nuk shquhet për shumë kurajë politike përballë një përbindëshi politik si Berisha.



