Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani u thirr në Komisionin Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të Presidentit për emërimet në Gjykatën Kushtetutese. Gjatë fjalës së tij, Dvorani justifikoi veprimet e KED-s, për shpalljen e njëkohshme të listave, me faktin se sipas tij ishin tejkaluar të gjitha afatet. Sipas Dvoranit, KED e vitit 2017 dhe 2018 nuk kishte funksionuar, ndaj në vitin 2019 kishte një punë të shtuar për të përmbyllur të gjithë procedurat për plotësimin e vakancave.
“ Vendet vakantet që do të krijoheshin kohë pas kohe nga njëra-tjetrat. Në vitin 2019 për shumë arsye, ku së pari për shkak të vettingut, u krijuan të gjitha vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. KED e vitit 2017 dhe 2018 nuk funksionoi. Kështu që KED e vitit 2019 u ngarkua të bënte gjithçka. Së pari duhet të miratonim të gjitha aktet nënligjore. Ky proces na mori disa muaj".
Më tej, ai shtoi se KED nuk pati kohë edhe për shkak se deri në prill të vitit 2019 iu desh të plotësonte aktet nën ligjore për verifikimit të kandidatëve.
“Deri në fillim të muajit prill ne përfunduam paketën e akteve. Ne filluam verifikimin e të gjitha vakancave njëherëz. Ne ishim në kushtet kur të gjitha afatet ishin të tejkaluara, dhe duhet t`i bënim të gjitha njëherëz. Kjo u kushtëzua dhe nga një fakt tjetër, sepse në listat kishte më shumë se një kandidatë që kandidonte për më shumë se një vakancë. Këto nuk kanë ndikim te njëri-tjetri në kuptimin e paragjykimit të procesit”.
Më tej, ai tha se një tjetër problem ishte dhe fakti se nga 57 kandidatura për vakancat e Gjykatës Kushtetutuese mbetën në garë vetëm 6 për të gjitha vendet vakante.
Ndërkohë, para nisjes së marrjes në pyetje të Ardian Dvoranit, anëtari i këtij Komisioni nga radhët e opozitës, Adriatik Alimadhi kërkoi që të gjitha institucionet që kanë rrëzuar aktet e Presidentit, duhet të ishin përpara këtij komisioni. Këtë kërkesë e ka mbështetur dhe deputeti tjetër opozitar, Alban Zeneli. Por, kryetari i këtij Komisioni, Ulsi Manja, u shpreh se ka një plan hetimi i cili është ezauruar në mënyrë të përpiktë. Ulsi Manja tha se Komisioni i ka shtuar objektit të hetimit edhe shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti për emërimet në Gjykatën Kushtetutese.
Në këto kushte, Ulsi Manja rrëzoi kërkesën e Alimadhit për të thirrur edhe përfaqësues të institucioneve të tjera që lidhen me dekretet e Presidentit. Por, pas fjalës së Ulsi Manjës, Alimadhi reagoi përsëri duke kërkuar që Komisioni Hetimor të fillojë procedurën e pyetjeve me përfaqësues të institucioneve pasi Venecia të publikojë opinionin e saj në lidhje me shkeljet kushtetuese të Presidentit.
10:16h- Sot mblidhet komisioni për shkarkimin e Metës/ Merret në pyetje Ardian Dvorani
Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, do të mblidhet sot. Sipas informacioneve mësohet seanca do zhvillohet në orën 13:00 dhe do merret në pyetje kreu i Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Më herët, Komisioni Parlamentar ka vendosur që të shtyjë me 4 muaj mandatin dhe të vijojë hetime, pasi pritet opinioni nga Komisioni i Venecias. Komisioni para disa muajsh ka marrë në pyetje dhe Ilir Metën, e zyrtarë të tjerë të përfshirë në çështjet që ka si objekt hetimi.



