Protestat e qytetarëve, Rama: Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike (VIDEO)

Protestat e qytetarëve, Rama: Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama foli në podcastin e tij “Flasim” për projektin e investimit në Zvërnec dhe Sazan, duke thënë se është përhapur dezinformatë mbi statusin e pronave në këto zona. 

Duke iu referuar intervistës së dhënë për DW gjatë vizitës së tij në Bochum të Gjermanisë, Rama theksoi se Zvërneci është tokë private, ndërsa ishulli i Sazanit është tokë publike që nuk do të shitet.

Sipas tij, shteti do të mbetet pronar i tokës dhe çdo marrëveshje do të realizohet në përputhje me standardet dhe monitorimin e Bashkimit Europian.

“Qershia mbi tortë" e kësaj vizite ishte pyetja e papritur nga gazetarja e Deutsche Welle, ku u surprizova nga mënyra se si gazetarja e kishte "gëlltitur" çorbën e të pavërtetave lidhur me Zvërnecin dhe lidhur me marrëdhënien mes qeverisë dhe kompanisë që përfaqësohet nga Jared Kushner, duke mos e fshehur ajo se i përkiste kampit të gjerë të të gjithë atyre që e kthyen Shqipërinë në një arenë për të bërë "luftën" e tyre me Trump-in.

U përballa me pyetje të tipit: "Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?", gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje.

Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike. Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Cilido që e ka shumë të qartë ose e ka pak të qartë faktin që unë jam këtu për të udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që ne kemi një mandat popullor shumë të fortë për të realizuar këtë mision historik, faktin që ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, e ka shumë të qartë edhe faktin që nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian.

Në rastin konkret, e gjitha është një vorbull, e cila përzihet e përzihet e përzihet për qëllime që tanimë janë qartësisht të tjera, ndërkohë që ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t'u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. Pra, si të thuash, "siguresa" për të gjithë ata që janë të shqetësuar është aty; është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian", tha Rama.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy