Sot në konferencën e nivelit të lartë “Siguria Rrugore 2020” drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka bërë publike propozimet kryesore për ndryshime të Kodit Rrugor që synojnë të rrisin sigurinë në rrugë.
Veliu ka propozuar që në kodin e ri rrugor të rriten gjobat kundër përdorimit të telefonave të cilët shkaktojnë shpërqendrim.

Ndryshimet e reja në kodin rrugor janë:
Sjellja agresive në rrugë do të gjobitet 10-20 mijë lekë dhe heqja e 5 pikëve.
Aksidenti nën efektin e alkoolit me masën mbi 1.5 g/l do t'u hiqet patenta
Drejtimi i mjetit me telefon në dorë do të jetë 5 mijë lekë gjoba
Drejtimi i mjetit duke shkruar mesazh, 15 mijë lekë gjobë
Drejtimi i mjetit duke folur në telefon, 10 mijë lekë gjobë
Drejtimi nën efektin e alkoolit, gjoba nga 5 mijë bëhet 15 mijë lekë
Shkelja e përparësisë kur përsëritet hiqen 5 pikë nga patenta
Mos përdorimi i kaskës mbrojtëse në motor, gjobë 1-3 mijë lekë
Shkelja e përparësisë për herë të dytë, pezullim patente 6-12 muaj
Përparësia, gjoba ishte 1-3 mijë lekë dhe bëhet 5-8 mijë lekë
Parakalim i gabuar, gjoba ishte 1-3 mijë lekë, shkon në 5-10 mijë lekë
10:36h “Siguria Rrugore 2020″/ Ministri Lleshaj: Ulja me 40% të aksidenteve në 2019, lajm inkurajues
Për periudhën 2010-2018 numri i fataliteteve prej aksidenteve rrugore ka njohur një trajektore me ulje të theksuar. Në vitin 2019, Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40 %. Ky është një lajm jashtëzakonisht inkurajues”.
Kështu deklaroi sot ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në Konferencën e Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020”.
“Por përsëri shqetësimi mbetet i lartë. Aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda. Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi. Pjesëmarrja shumë e lartë e publikut në sondazhet e zhvilluara nga MB në interes të kësaj konference, në të cilat morën pjesë më shumë se 65 mijë qytetarë, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka tema për të cilën jemi mbledhur”, tha Lleshaj.
Ministri Lleshaj theksoi se “Bashkimi Europian po punon për realizimin e ambicies të quajtur “Vizioni Zero”, që synon afrimin tek shifra zero e viktimave në qarkullimin rrugor në vitin 2050. Edhe tek ne, nëse do trajektorja e numrit të viktimave në aksidente do të ndjekë tendencën e viteve të fundit, ky objektiv mund të arrihet. Sigurisht që sot një objektiv i tillë mund të duket si një ëndërr e bukur, por unë mendoj se kjo gjë është e mundur. Në funksion të këtij objektivi kërkohet një program kombëtar i cili do të parashikojë një qasje të fortë dhe gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë rrugore. Dhe në fakt ky është qëllimi i konferencës së sotme; kërkimi i rrugëve dhe praktikave më të mira që na çojnë drejt këtij objektivi të rëndësishëm kombëtar”.
“Ajo që kërkohet në fakt është ndërtimi i një sistemi të sigurt që përmbledh në vetvete: automjete të sigurta, infrastrukturë të sigurt, sjellje të sigurt në rrugë (përgjegjshmëri e lartë, shpejtësi normale, kthjelltësi dhe udhëtim jashtë ndikimit, pajisje të sigurisë), si dhe sjellje dhe përkujdesje më të mirë pas aksidenteve”, nënvizoi Lleshaj.
Duke folur për shpërqendrimin që sjell përdorimi i pajisjeve të komunikimit mobil si telefoni, etj, Lleshaj tha se “shpërqendrimi konsiderohet burimi për 10-30 % të aksidenteve. Përdorimi i telefonave celularë, por edhe i sistemeve elektronike të integruara në makinë është një faktor i rëndësishëm për aksidente rrugore. Studimet serioze provojnë se kërkimi dhe thirrja e një numri telefoni nga celulari e rrit rreth 12 herë riskun e një aksidenti, ndërkohë që formulimi i teksteve për mesazhe e rrit këtë risk me rreth 6 herë”.
Sipas tij, në ndryshimet e reja në kodin e ri rrugor do të parashikohen masa të forta kundër përdorimit të mjeteve që shkaktojnë shpërqendrim, sidomos të celularëve.
Gjatë konferencës së nivelit të lartë “Siguria rrugore 2020” ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka theksuar se në vitin 2020 do të ndërmerret një plan masash për të ulur numrin e aksidenteve.
Sakaq Balluku thotë se edhe pse kemi rritje të automjeve në 6 vitet e fundit numri i aksidenteve është reduktuar. Më tej ajo shton se do të ketë rritje të investimeve në insfrastrukturë. “Shqipëria mori përsipër të rritur investimet në ifrastrukturë, me praktikat më të mira ndërkombëtare për të parandaluar aksidentet”, tha ministrja ndër të tjera.
Viti 2020 do të jetë viti i uljes së aksidenteve. Ka pasur rritje të nr të automjeteve, ndërsa numri i aksidenteve në këto 6 vite është reduktuar me 28%”, tha Balluku.
Në këtë konferencë, në vijim të konferencës në kuadër të një grupi ndërinstitucional, me përfshirje të gjerë dhe nga aktorë të tjerë dhe ekspertë, do të hartohet një plan për hapat e mëtejshëm, i cili do të përqendrohet në këto çështje: draftimi i programit kombëtar për Sigurinë Rrugore, përfundimi i draftimit të akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse dhe hartimi i projekteve teknike që do të mbështesin realizmin e programit.



