Prokuroria e Posaçme, del me deklaratë lidhur me takimin e mbajtur mes kryetares së komisionit hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku me kryetarin e SPAK, Arben Kraja.
Në njoftim thuhet se drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zhvilloi një takim me zonjën Tabaku, deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kryetare e Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për inceneratorët.
Sqarohet se takimi u zhvillua me kërkesë të zonjës Tabaku.
Më tej thuhet se Prokuroria e Posaçme është e vendosur që të administrojë çdo fakt dhe çdo indicie që lidhet me hetimin e procedimeve penale të regjistruara për çështjen e inceneratoreve, ngado që të vijnë, aq më shumë nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi.
“Nga ana tjetër, sigurojmë opinionin publik se prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimmarrjen e tyre dhe do të analizojnë me ligjshmëri, objektivitet dhe paanësi çdo pretendim, indicie apo provë që paraqitet nga të gjithë palët që kanë dijeni rreth procesit për të cilin po hetohet”, thuhet në mbyllje.



