Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është arrestuar për llogari të Gjykatës Speciale. Ai do të dërgohet në Hagë. Zyrtarë të EULEX-it kryen mëngjesin e sotëm kontrolle në shtëpinë e Krasniqit, ndërsa 10 orë më pas, avokati i tij, Valon Hasani, ka konfirmuar arrestimin. Hasani tha se Jakup Krasniqi është dërguar për në Hagë dhe shumë shpejt pritet të mbahet seanca ndaj tij.
“Në bazë të urdhrit nga DHS-ja është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit dhe është nisur për në Hagë, ku pritet që shumë shpejt të mbahet seanca pranë Dhomave të Specializuara”, tha ai.
Hasani nuk ka dhënë detaje lidhur me akuzat e ngritura ndaj Krasniqit.
“Dyshohet për vepra që nuk janë të specifikuara, por janë në kuadër të veprave që bien në kuadër të mandatit të Dhomave të Specializuara. Vetëm sot është bërë i ditur urdhërarresti dhe urdhri për bastisjen e shtëpisë së tij”, tha ai.



