Zhvlerësimi i euros, Zekja: Qeveria përfiton, eksportuesit po groposen. Soko: Shkak paratë e pista që pastrohen në Shqipëri

Zhvlerësimi i euros, Zekja: Qeveria përfiton, eksportuesit po groposen. Soko: Shkak paratë e pista që pastrohen në Shqipëri

Euro ka shënuar një tjetër rekord negativ në tregun valutor shqiptar, duke zbritur për herë të parë nën nivelin e 95 lekëve. Ndërsa autoritetet e lidhin këtë zhvlerësim me afrimin e sezonit turistik dhe shtimin e flukseve valutore në vend, ekspertë dhe përfaqësues të biznesit eksportues ngrenë dyshime mbi këtë argument, duke kërkuar një analizë më të thellë të faktorëve që po ndikojnë në kursin e këmbimit.

 

I ftuar në MCN Economy, përfaqësuesi i eksportuesve, Florian Zekja, tha se zhvlerësimi i euros po vazhdon edhe përpara kulmit të sezonit turistik dhe se situata po rëndon ndjeshëm sektorin eksportues.

 

Ne kemi parë ecurinë e kursit të këmbimit dhe kemi parë që euro, për një sërë faktorësh, ka pësuar një rënie të konsiderueshme, ndërsa leku është mbivlerësuar. Kjo është një vazhdimësi dhe është normale të shtrohet pyetja se pse euro po bie kur ende nuk kemi hyrë në fazën kulmore të ardhjes së emigrantëve dhe turistëve, që zakonisht sjellin më shumë qarkullim të monedhës europiane. Pa një analizë të thelluar është e vështirë të përcaktohet e ardhmja e euros, por ajo që duket e sigurt është se rënia mund të vazhdojë. Në vitin 2023 thamë që të mos arrinte barazinë me lekun, por e arriti, më pas zbriti në 95 lekë dhe sot askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që të shkojë edhe nën 90 lekë.

 

Sipas tij, eksportuesit po përballen me humbje të mëdha për shkak të kursit të këmbimit, ndërsa qeveria është një nga përfituesit kryesorë të kësaj situate.

 

Stabilizimi i euros ishte një nga kërkesat që ne i kemi bërë qeverisë. Çështja e euros është thelbësore për bizneset eksportuese, sepse kemi parë që produkti ynë ka humbur rreth 30 për qind të vlerës në vetëm dy vite. Nga ana tjetër, ka një përfitues të qartë nga kjo situatë dhe ai është qeveria, pasi zhvlerësimi i euros ul koston e shlyerjes së borxhit të jashtëm. Praktikisht, qeveria po paguan më pak për borxhin, ndërsa bizneset eksportuese po përballen me goditje të forta.

 

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko hodhi poshtë argumentin se rënia e euros lidhet me rritjen e turizmit, duke e konsideruar këtë një shpjegim të pabazuar në realitetin ekonomik.

 

Problemi i euros është thënë dhe stërthënë. Ne e dimë se nga vjen dhe nuk ka lidhje me turizmin. Problemi kryesor lidhet me sektorin e ndërtimit dhe me flukset e parave informale që futen në ekonomi. Madje, zhvillimet e fundit tregojnë qartë se kur SPAK ka goditur dhe bllokuar miliona euro, tregu ka reaguar menjëherë. Kjo vetëm sa forcon bindjen se kemi të bëjmë me para të pista që po pastrohen në Shqipëri.

 

Sipas tij, ekonomia shqiptare është bërë e varur nga këto flukse financiare, çka e bën edhe më të vështirë korrigjimin e situatës.

 

Për sa kohë nuk pranojmë se shkaktari kryesor i rënies së euros është paraja informale që hyn në Shqipëri, nuk mund të gjejmë zgjidhje. Nëse sot do të ndërpriteshin këto flukse, euro do të niste menjëherë të rritej, por kjo do të sillte pasoja të mëdha inflacioniste. Për këtë arsye nevojitet një plan i mirëstudiuar. Sot shohim që me këto euro po blihen prona, po ndërtohen kulla dhe pallate. Pyetja që duhet të marrë përgjigje është shumë e thjeshtë: nga vijnë këto para? Banka e Shqipërisë duhet të japë më shumë transparencë mbi origjinën e këtyre flukseve. Problemi nuk është ku shkon euro, por nga vijnë eurot që po qarkullojnë në treg.

 

Debati mbi arsyet e forcimit të lekut dhe zhvlerësimit të euros mbetet i hapur, ndërsa eksportuesit vijojnë të kërkojnë ndërhyrje dhe politika mbështetëse për të zbutur efektet e kursit të këmbimit mbi konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy