Të tjera detaje kanë dalë nga ndalimi i 50 shtetasve sirianë, të cilët janë kapur mbrëmjen e djeshme teksa tentonin të iknin me gomone në vendet e BE. Sipas informacioneve nga policia, mësohet se emigrantët qëndruan për rreth 3 orë në det të hapur, ndërsa mjeti lundrues ku ata kishin hipur rrezikonte të zhytej nën ujë.
Ata tentuan të kalonin ilegalisht kufirin drejt Italisë me gomone, të ndihmuar edhe nga një grup trafikantësh shqiptarë. Shumë prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore i janë drejtuar spitalit Rajonal të Vlorës. 16 persona morën ndihmë të specializuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa 9 burra dhe gra u nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare. Ndërkohë, mjeti lundrues i tipit gomone mbeti në grykëderdhje të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta në drejtim jug-perëndim.
Disa prej emigrantëve në gjendje të më të mirë shëndetësore, qëndruan në koridoret e Policisë së Vlorës.

Në një njoftim për shtyp, Policia tha se ishte ajo që goditi rastin e trafikut të klandestinëve, pas një përgjimi të kryer. Ndërsa nga ana tjetër, thuhet se salla operative u njoftua për një mjet lundrues me shtetas të huaj në bord që kërkoi ndihmë për shpëtim pasi gjendej në grykëderdhjen të Vjosës në rrezik për t'u mbytur. Gomonia e përmasave të mëdha është dëmtuar dhe mbytur pjesërisht. Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojës Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanzas Italiane
Një prej sirianëve të kapur mbrëmjen e djeshme në grykëderdhjen e Vjosës ka treguar për mediat se destinacioni i tyre ishte kalimi drejt Italisë e më pas në vendet e Europës. Sipas tij, të gjithë kanë qëndruar për 3 orë në det të hapur. “Kam ardhur me motrën dhe djalin e saj. Jemi shumë të frikësuar. Kemi qëndruar 3 ditë. Donim të iknim në Europë. Paratë i ka paguar im vëlla, nuk e di sa lek ka paguar, ne donim të shkonim në Itali ….në Europë, kudoqoftë. Kemi qëndruar për rreth 3 orë në det”, është shprehur siriani.
Emigrantët ndodheshin në një gomone, ndërsa prisnin të iknin drejt Italisë. Pavarësisht kushteve mjaft të vështira atmosferike dhe me një det mbi 5 ballë, gomonia ishte gati për t’u nisur për në Itali. Strukturat lokale në Vlorë thanë se e kishin në përgjim grupin kriminal që do të realizonte transportin e tyre në Itali, por në lëvizje janë vendosur pas një telefonate. Në sallën e policisë Vlorë një person ka kërkuar ndihmë. “Gomonia po mbytet, ndihmë”.



