Trump njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, reagime të ashpra ndërkombëtare

Trump njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, reagime të ashpra ndërkombëtare

Donald Trump i bie shkurt dhe shpall Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit. Konfirmimi për këtë vendim ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Presidenti francez, Macron, e ka quajtur “një vendim për të ardhur keq”, ndërsa “Hamas” ka thënë se me këtë vendim, Trump “hapi dyert e ferrit”.

Në Gaza, pasditen e djeshme kanë nisur protesta. Presidenti palestinez, Abu Mazen, bëri të ditur se ka urdhëruar delegacionin diplomatik palestinez të lërë Uashingtonin dhe të kthehet në atdhe.

“Jeruzalemi është kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Palestinës”, ka thënë ai, ndërsa ka akuzuar presidentin Trump për shkelje të të gjitha marrëveshjeve.  

Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet

“Është momenti të njohim Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Nuk mund të vazhdojmë me formula që kanë dështuar. Vendimi i sotëm për Jeruzalemin është domosdoshmëri për paqen. Ai duhet të mbetet i hapur për të krishterët, myslimanët dhe hebrejtë. Paqja në Lindjen e Mesme është e domosdoshme për t’i dhënë fund radikalizmit. Do të bëj gjithë ç’kam në dorë për një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinës, e cila të pranohet nga të dy palët. SHBA-të mbështesin zgjidhjen e arritur mes dy shteteve, ndaj nuk mund ta zgjidhim këtë çështje me qasjen e vjetër. Duhet një e re”, ka thënë Trump.

Ai ka bërë të ditur se zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, do të vizitojë në ditët e ardhshme Lindjen e Mesme, çka do të zyrtarizojë akoma më tej njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Reagimet

“Vendimi i presidentit Trump është një hap i rëndësishëm drejt paqes. Nuk mund të ketë paqe nëse nuk përfshihet njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit”, ka thënë kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

“Vendimi i sotëm i Trump-it është baraz me heqjen dorë nga roli i mediatorit të paqes”, ka thënë presidenti palestinez në një fjalim drejtuar popullit të tij. Sipas tij, ky vendim është në kundërshtim me të gjitha rezolutat ndërkombëtare për Jeruzalemin.

“Vetëm duke bërë realitet vizionin e dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe dhe siguri, me Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe Palestinës, të gjitha çështjet që lidhen me statusin do të zgjidhen në mënyrë përfundimtare përmes negociatave dhe aspiratat legjitime të të dy vendeve do të arrihen”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Presidenti i Francës nuk e ka mbështetur këtë zgjidhje. Macron bën thirrje për qetësi pas këtij vendimi.

Edhe Egjipti e ka kundërshtuar vendimin e Trump-it. “Egjipti denoncon vendimin e SHBA-ve për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe hedh poshtë çdo efekt të këtij vendimi”, citohet një komunikatë e Ministrisë së Jashtme në Kajro.

As Turqia nuk është dakord me një zgjidhje të tillë. “E dënojmë si të papërgjegjshme deklaratën e administratës së SHBA-ve për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Kjo do të ketë efekte negative në paqen dhe stabilitetin e rajonit”, u shpreh në “Tuiter” ministri i jashtëm turk, Ahmet Cavusoglu.

Tetë vende anëtare të Këshillit të Sigurisë në OKB: Bolivia, Egjipti, Franca, Italia, Senegali, Suedia, Britania e Madhe dhe Uruguaj kanë kërkuar një mbledhje urgjente menjëherë pas vendimit të Trump-it. Sipas burimeve të cituara nga ANSA, kjo mbledhje me shumë gjasa do të zhvillohet të premten. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy