
Pas vendimit të sotëm të Prokurorisë së Kavajës e cila e ka regjistruar çështjen e vdekjes së katër turistëve rus në Qerret, si vrasje, mësohet edhe raporti i Mjekësisë Ligjore përkitazi më këtë rast.
Burimet e MCN TV, në këtë institucion, marrin vesh se me shumë gjasë, vdekja e katër rusëve ka ardhur si pasojë e asfiksimit nga përbërësit kompleks të klorit, dhe helmimi nga ky element kimik për rrjedhojë ka shkaktuar edhe vdekjen e tyre.
Megjithatë nga Mjekësia Ligjore bëjnë të ditur se pritet së shpejti përfundimi i ekzaminimit toksikologjik lidhur me këtë tragjedi.
Çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe, gjeten vdekjen në një hotel në Qerret të Kavajës, të premten me 15 tetor.



