
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, thotë se Shqipëria nuk u zgjodh rastësisht për të organizuar Kampionatin Europian të Peshngritjes, i cili u mbajt një javë më parë në Tiranë.
Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Gjoza deklaroi se vlerësimi për organizimin e Europianit, ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ishte kampionati europian i 100-ti dhe nuk u zgjodh rastësisht Shqipëria. Ne morëm vlerësimet maksimale, për organizimin. Kemi marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm. Na duhej një punë e madhe. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me KOKSH, po ashtu edhe me Bashkinë e Tiranës. Ne prodhuam 4 medalje, me një rezultat surprizë të Evangjeli Veli. Arriti një rezultat të shkëlqyer. Edhe Erkand Qerimaj, mori një medalje të artë në shkëputje. Prisnim shumë nga Briken Calja. Ai ishte i dëmtuar në 10 ditshin e fundit, në shpatull. Unë Brikenin e kam falënderuar që mori pjesë. Me të, ne pretendojmë të kemi medaljen e parë olimpike. Veli u shpall sportistja më e mirë femër, në kampionatin europian. Vetëm nga Europiani, Shqipëria përfitoi 700 turistë, të cilët do të vijnë sërish. Nuk jemi zgjedhur rastësisht.
Gjoza zbuloi gjithashtu se javën e ardhshme, në Shqipëri, do të mbahet një aktivitet tjetër madhor, siç është kongresi zgjedhor i Federatës Botërore, ku do të zgjidhet presidenti i ri.
Nuk kemi marrë vetëm Europianin, por pas një jave në Shqipëri do të mbahet kongresi i madh zgjedhor të Federatës Botërore, ku në Shqipëri do të vijnë 156 presidentë nga e gjithë bota, që të bëjnë zgjedhjet. Për këtë kemi konkurruar me 13 vende në botë, ku ka qenë SHBA, Katari, Bahreini, Franca, Itali dhe shumë shtete të tjera, por bordi vendosur me 100% të votave të mbahet këtu. Është ë që presidenti të zgjidhet në Shqipëri. Revolucioni është ë që të bëhet në Tiranë. Do prodhojmë një kongres zgjedhor, shumë të madh dhe të shkëlqyer.



