
Tetë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti zinxhir që ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në autostradën Prizren-Morinë, rreth katër kilometra para Pikës Kufitare të Vërmicës.
Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete, të cilat po udhëtonin në drejtim të Shqipërisë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili bëri të ditur se në vendngjarje kanë dalë njësitet e Policisë, konkretisht Njësia e Autostradës, për të kryer veprimet procedurale dhe hetimore.
"Në orën 08:10, Policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, rreth katër kilometra para Pikës Kufitare të Vërmicës. Në aksident janë përfshirë gjashtë automjete.
Si pasojë, tetë persona kanë pësuar lëndime. Policia (Njësia e Autostradës) është duke u marrë me procedurat në vendngjarje", deklaroi Krasniqi.
Mes të lënduarve ndodhen edhe një fëmijë dhe një grua shtatzënë, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Të plagosurit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për të marrë ndihmën mjekësore. Fatmirësisht, nuk raportohet për viktima.
Sipas informacioneve paraprake, automjetet ishin nisur drejt Shqipërisë, në një fundjavë kur mijëra qytetarë të Kosovës udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar për pushime.
Për shkak të aksidentit, njëra korsi e autostradës në drejtimin Prizren-Morinë u bllokua përkohësisht, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh dhe vonesa në qarkullim.
Shkaqet e aksidentit pritet të zbardhen pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.



