Eksperti i Financave Elvin Meka komentoi në emisionin “MCN Economy” raportin e KLSH mbi menaxhimin e pandemisë në Shqipëri. Meka vë në dukje se pandemia vazhdon ta godasë vendin tonë me shkatërrimin e tregut të punës, ku tanimë janë larguar profesionistët në mjekësi. Meka paralajmëroi se po krijohet një gropë me efekte të jashtëzakonshme në shëndetësi, duke shtuar se: “Do vijë një ditë që s’do kemi më veterinerë për t’u mjekuar si njerëz!”.
Jo vetëm në Shqipëri nuk mund të nxirret një vlerësim sa na ka kushtuar pandemia. Ajo që është më e prekshmja është rënia e PBB-së. Pandemia na dëmtoi nga të katër anët. Kishim një rënië mesatare vjetore diku te 8,5-9 për qind në vit. Në fund të 2021, në fillim të 2022 mund të themi që kaloi emergjenca. Pas 2021 vihet re një shpërfytyrim të tregut global të punës. E ndjerë në Europë shumë më tepër, që u godit jo pak nga pandemia. Një nga këto janë dëmet anësore, që ndryshimi i modelit të biznesit dhe hapja e menjëhershme në fund të vitit 2021, bëri që të kishte një emergjencë absolute për vende punë, që më shumë e ndjejnë vendet e varfra si Shqipëria. Ne pandemia po vazhdon të na godasë edhe me shkatërrimin e tregut të punës. Tashmë kanë ikur profesionistët. Ende tregu i punës në vendet më të zhvilluara të BE vazhdon të jetë si një magnet i fortë. Për fat të keq nuk mund të ndalet, sidmos disa sektorë që lidhen me teknologjinë dhe IT, që lidhet me shërbimin shëndetësor, imazheria etj., ku vërtet Europa ka një uri për specialistë. Do ishte mirë të mësonim sa do ishte paga mesatare në sektorin e shëndetësisë. Para se të mendohej për rritjen e pagave për deputetët, duhet të shihej dyfishimi apo trefishimi i pagave në sistemin e shëndetësisë. Po vijon të krijohet një gropë me efekte të jashtëzakonshme në shëndetësi. Do vijë një ditë që s’do kemi më veterinerë për t’u mjekuar si njerëz!”.



