Një person i cili tentoi që të fuste nga Dubai në Tiranë me valixhe rreth 27 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, është vënë në prangat e policisë në aeroportin e Rinasit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fluturimi”.
Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit Brice Tchantchou, 21 vjeç, banues në Luksemburg.
Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.



