
“Omicron ka një aftësi të madhe për t’u përhapur. Lëvizja gjatë periudhës së Krishtlindjes do të nxisë përhapjen e variantit të koronavirusit Omicron, madje edhe midis atyre që janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19”, është shprehur epidemiologu amerikan Anthony Fauci për “NBC”.
Ai ka theksuar se varianti Omicron tashmë po përfshin gjithë botën, ndërsa shprehu shqetësimin për numrin e madh të amerikanëve që ende nuk janë vaksinuar kundër Covid-19 . “Do të shohim javë dhe muaj të vështirë” tha ai.
“Dallimi midis një personi të vaksinuar dhe një personi që ka marrë dozën përforcuese kur është i infektuar nga Covid-19 dhe një personi të pavaksinuar që është i infektuar është i madh për sa i përket rrezikut të ashpërsisë së sëmundjes” tha Fauci.
Gati 73% e amerikanëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid-19, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Deri më tani rreth 30% kanë marrë një dozë përforcuese.
Sipas vlerësimeve të fundit të CDC-së, lloji Omicron është përgjegjës për rreth 3% të infeksioneve aktuale, me shumicën e rasteve të raportuara në Nju Jork.



