Rrjetet kaotike të kabllove që shtrihen mbi rrugë, ndërtesa, pemë dhe shtylla në qytetet shqiptare mund të marrin fund nëse realizohet projekti i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se Shqipëria synon të harmonizojë rrjetin e telekomunikacionit me standardet e Bashkimit Evropian, përmes një investimi prej 110 milionë eurosh që parashikon kalimin nëntokësor të të gjitha linjave.
Sa i realizueshëm është ky projekt dhe cilat janë sfidat që duhen kapërcyer? Kjo çështje u diskutua në emisionin “MCN Economy” me kryetaren e Unionit të Inxhinierëve, Dëshira Mena, dhe inxhinierin elektrik, Arian Shyti.
Sipas Menës, situata aktuale është rezultat i dekadave të tëra zhvillimi pa koordinim dhe pa respektim të standardeve teknike.
Ky kaos vjen si pasojë e mënyrës se si janë ndërtuar ndër vite infrastrukturat e rrjeteve të ndryshme. Instalimet janë kryer shpesh në mënyrë informale, ku secili operator apo investitor ka zgjidhur problemin e vet duke gjetur rrugën më të shkurtër. Nëse e shohim sot të gjithë infrastrukturën elektrike dhe atë të telekomunikacionit, kemi përballë një kaos të vërtetë.
Ajo theksoi se rritja e kërkesës për energji elektrike, internet dhe telefoninë nuk është shoqëruar me investime të planifikuara dhe të koordinuara sipas standardeve.
Nevojat janë shtuar ndjeshëm ndër vite, por zgjidhjet nuk janë bërë asnjëherë në mënyrë korrekte dhe sipas standardeve. Çdo ndërtim i ri nuk ka ecur paralelisht me infrastrukturën e nevojshme. Kur jepet një leje ndërtimi, ajo bazohet kryesisht në kërkesat e investitorit dhe jo në një planifikim të integruar me gjithë rrjetin e infrastrukturës. Për këtë arsye, zgjidhjet nuk kanë qenë të mirëmenduara.
Mena vlerësoi projektin e paralajmëruar nga qeveria, por nënvizoi se suksesi i tij varet nga planifikimi dhe zbatimi.
Ideja është e mirë, por kërkon një plan pune të mirëfilltë. Deri më sot nuk kemi treguar interesin e duhur për respektimin e normave dhe standardeve që ekzistojnë për këto linja. Nëse duam të arrijmë standardet europiane, duhet të ndryshojë mënyra se si projektojmë dhe administrojmë infrastrukturën.
Për të ilustruar problematikën, Mena solli shembullin e projektit të zgjerimit të autostradës Tiranë–Vorë, ku sipas saj mungesa e koordinimit solli kosto shtesë dhe mbivendosje të proceseve.
Kam qenë pjesë e stafit si inxhiniere elektrike dhe telekomunikacioni në atë projekt. Në dokumentacion ishte parashikuar edhe kjo pjesë, por pas përfundimit të projektit nuk u thirra më për të realizuar projektin elektrik dhe të telekomunikacionit. Më vonë mora vesh se një studio tjetër do të merrej me ndriçimin e autostradës. Kjo do të duhej të ishte parashikuar që në projektin fillestar. Nuk ka arsye që i njëjti shërbim të paguhet dy herë. Ky është një shembull që tregon se si vetë institucionet shpesh nuk e menaxhojnë si duhet një projekt madhor.
Nga ana tjetër, inxhinieri elektrik Arian Shyti argumentoi se situata aktuale nuk mund t’i atribuohet një institucioni të vetëm, por është produkt i një zinxhiri vendimmarrjesh dhe zhvillimesh që nga vitet ’90.
Nuk besoj se ka një institucion konkret që nuk ka funksionuar. Mendoj se është një zinxhir i gjatë ngjarjesh dhe vendimesh, nga vitet ’90 deri më sot, që na ka sjellë në këtë situatë. Kërkesa për shërbime dhe infrastrukturë është rritur me ritme shumë më të shpejta sesa mundësitë që kishte Shqipëria për t’i përballuar. Përgjegjësia është e të gjithëve, nga inxhinierët deri te drejtuesit e institucioneve.
Sipas tij, rrjetet e kabllove të varura në ajër përbëjnë jo vetëm një problem teknik dhe ekonomik, por edhe estetik, sidomos në një vend që synon të zhvillojë turizmin.
Kjo situatë duhet të na bëjë të kthejmë kokën pas dhe të mësojmë nga gabimet. Pasojat nuk janë vetëm ekonomike. Në momentin që Shqipëria është orientuar drejt turizmit, këto rrjete merimangë nuk janë një pamje e bukur për t’ua paraqitur turistëve. Problemin duhet ta shohin së pari vetë inxhinierët, sepse nëse nuk këmbëngulim te standardet, do të vazhdojmë të biem në të njëjtën grackë.
Shyti theksoi se ndër vite projektet janë kushtëzuar shpesh nga mungesa e fondeve, duke bërë që zgjidhjet teknike të reduktohen në minimumin e mundshëm.
Jo gjithmonë nevoja ka qenë në sinkron me financimet. Shpesh si inxhinierë jemi përballur me situata ku na është thënë se ka vetëm kaq buxhet dhe pjesa tjetër do të bëhet më vonë. Kjo është një realitet i njohur. Nuk është vetëm çështje përgjegjësie, por një kombinim faktorësh që kanë ndikuar në rezultatet që shohim sot. Institucionet, investitorët dhe projektuesit duhet të jenë të sinkronizuar. Nuk mund të pretendohet zhvillim i qëndrueshëm kur fondet janë të pamjaftueshme, nuk ka një vizion të qartë për zhvillimin e zonave dhe njëkohësisht lejohen instalime të paligjshme nga institucionet që duhet të mbikëqyrin procesin.
Projekti i paralajmëruar nga qeveria synon t’i japë fund një prej problematikave më të dukshme urbane në vend. Megjithatë, sipas ekspertëve, përtej fondit prej 110 milionë eurosh, sfida kryesore mbetet krijimi i një sistemi të koordinuar projektimi, mbikëqyrjeje dhe zbatimi që të garantojë se kaosi i krijuar ndër dekada nuk do të përsëritet më.



