Finalizohet në Shkodër, operacioni policor i koduar “Part of”, gjatë të cilit u vu në pranga një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë italiane, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të narkotikëve.
Si rezultat i operacionit, u lokalizua në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Fatlum Murçaj, 32 vjeç.
32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Organizata kriminale me qëllim trafikimin e drogës”, sipas Kodit Penal të Italisë, ku parashikohet dënim deri në 20 vjet burgim për këtë vepër.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët italianë, për ekstradimin e shtetasit Fatlum Murçaj.



