
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë një konference për mediat deklaroi edhe njëherë se Vladimir Putin dhe Moska nuk dëshirojnë pushtimin e Ukrainës, por çmilitarizimin e saj.
I pyetur nëse dëshira e Rusisë ishte rrëzimi i një vendi demokratik, kryediplomati rus nënkuptoi se Ukraina s’mund të quhej një vend demokratik. Mandej Lavrov ngriti pretendime mbi trajtimin që u bëhet rusëve në Ukrainë.
Në deklaratën e tij Lavrov shigjetoi edhe Perëndimin duke përmendur ndërhyrjet në ish-Jugosllavi, Irak dhe Libi, duke u shprehur se ato shkaktuan mijëra viktima në emër të promovimit të demokracisë.
Më herët Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës, në një postim në Twitter, bënë thirrje për rekrutë civilë, pavarësisht moshës.
Në deklaratën e komandantit të Forcave të Mbrojtjes theksohet se nuk ka kufizime moshe.
Ministri i Mbrojtjes Alexey Reznikov sqaroi se do të lejohen edhe personat mbi 60 vjeç, por nuk përmendi të miturit.



