Nga qyteti i Bulqizës, kryeministri Edi Rama u shpreh se në 45 muaj qeverisje është bërë shumë, por jo mjaftueshëm.
Duke u kërkuar votën banorëve atje, Rama u shpreh se synimi është hapja e dy portave deri në fund, ajo e drejtësisë dhe administratës në mënyrë që ato të jenë në shërbim të qytetarëve.
"Ka ende shumë për të bërë dhe çka kemi bërë në këto 45 muaj nuk është e mjaftueshme por kemi dhënë provën se ne mund të bëjmë shtet për këdo pa dallim. Shtet që për kodo që shkon në Gjykatë dhe që nuk është i detyruar ta blejë të drejtën e tij, por merr atë që i takon, shtet që shkon në një zyrë për të marrë shërbime dhe të marri shërbimin siç i takon. Janë këto dy porta që ne duhet të hapim deri në fund, porta e drejtësisë dhe portat e administratës shtetërore, porta e gjykatës dhe portat e zyrës së shtetit që të mos ketë më zyra shteti që shesin patenta, që shesin dokumente, që shesin hipoteka, zyrtarë që nuk i shërbejnë qytetarëve, por partive dhe që i trajtojnë qytetarët sikur janë shërbëtorët e tyre në rastin më të mirë dhe pengjet e tyre në rastin më të keq" tha Rama.
Gjatë fjalës së tij para të pranishëmve, kreu i qeverisë tha se edhe demokratët duhet të votojnë për Partine Socialiste, pasi sipas tij me PD nuk fitojnë asgjë, ndërsa nëse votojnë për numrin 2, punën e bën PS gëzohet edhe PD.
“Të gjithë punonjësit e shtetit në këto 10 ditë duhet të luftojnë për një votë për Shqipërinë që duam, për shtetin që duam. Dhe nuk ma ha mendja se mund të gjejnë më bukur se ata që janë me PD-në, të votojnë numrin 2", tha Rama.



