Kreu i PR Fatmir Mediu duke folur në Mcn Live tha se reagimet e fundit të Presidentit serb Vuçiç erdhën pasi Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA, shprehet kundër ndryshimit të kufijve. Po ashtu, sipas Mediut, ky akt godet qartësisht ndërhyrjet keqdashëse të Rusisë dhe Kinës në rajon, ku shteti më i prekur është Serbia. Kreu i PR thotë se edhe Shqipëria duhet t’i lexojë qartë mesazhet e DASH, ku problemi më i madh është lufta kundër krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.
“Ajo që e bën Vuçiç-in të reagojë është Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare që kaloi nga Kongresi dhe Senati dhe u miratua nga Trump, që përcakton një politikë më të qartë me Ballkanin, për mos ndryshimin e kufijve që është goditje për Vuçiçin, një luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe më e rëndësishmja është qartësisht pozicioni i SHBA-ve kundër ndërhyrjeve keqdashëse të Kinës dhe Rusisë, që godet shumë më tepër Serbinë, që është partneri kryesor i Rusisë dhe Kinës. Shqipëria duhet të lexojë qartë mesazhet që kanë ardhur nga DASH, Departamenti i Drejtësisë, ku problemi më i madh është lufta kundër krimit të organizuar, dhe lidhjet për kartelet e të drogës. Opozita duhet të ndërtojë një narrativë, jo të presë të bjerë Rama, por të bëjë punën e saj që të bjerë Rama dhe të diskutojë me partnerët”.
Mediu tha se Shqipëria ka nevojë për një qeverisje teknike, që tejkalon interesat e Ramës dhe Berishës, por që vendos në radhë të parë interesat e vendit.
Duke folur për arrestimin e Maduros dhe dobësimin e BE-së, Mediu tha:
“Ka qenë gjë e pritshme, sepse Presidenca Trump, DASH, tashmë e kishin angazhuar veten në një seri veprimesh, në radhë të parë diplomatike që s’funksionuan dhe më pas me veprime të drejtpërdrejta kundër trafikut të drogës. Përbëjnë një rrezik të madh në SHBA kartelet e drogës. Venezuela, Kuba, Honduras, Kolumbia, kanë qenë nën influencën e një boshti tjetër gjeopolitik si Kina, Rusia, Irani, që përbën në pikëpamjen gjeopolitike një problem për SHBA-të. Nga pikëpamja ligjore arrestimi erdhi pasi kishte një vendim për procedimin penal që nga koha e Biden-it.
Në qoftë se ka një ekonomi që ka vazhduar të jetë në rënie është ajo e BE dhe nëse ka një politikë të jashtme jo të unifikuar, është ajo e BE-së. Unioni funksionon i ndarë dhe kjo ka krijuar perceptimin e një Europe të dobët. Është një Amerikë pak ndryshe, atipike, që ka në radhë të parë interesin e SHBA-ve. Një pozicion më proaktiv i Europës në zhvillimet gjeopolitike, sidomos në Ukrainë, një qartësi për marrëdhëniet me Kinën dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe të Largët, do ta bënin Europën më të organizuar dhe funksionale. Ka një pyetje të madhe për BE-në, çfarë nuk shkon? Akoma s’është arritur të ketë një qendër vendimmarrje në Bruksel ku të gjithë aktorët bien dakord për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme”.



