
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live ka dhënë detaje nga dëshmia e Shkëlzen Berishës në GJKKO lidhur me çështjen Gërdeci.
Rusta u shpreh se Berisha teksa është paraqitur si dëshmitar i është përgjigjur pyetjeve ku ka dhënë përgjigje për tragjedinë e Gërdecit duke u shprehur se jo vetëm që nuk ka lidhje, por madje ka qenë jashtë shtetit ditën e tragjedisë.
Sipas tij, me Mediun, Shkëlzen Berisha ka raport miqësor dhe s’ka lidhje me demontimin, teksa është mohues edhe lidhur me një faks në emër të tij.
2007-2008 kam punuar disa muaj në kompaninë “Eagle Mobile”. Kam qenë jashtë Shqipërisë kur ka ndodhur ngjarja. Ose nëpërmjet medias ose nëpërmjet familjarëve e kam mësuar ngjarjen. Me Aldo Bumçin njihem. Kam marrëdhënie miqësore për shkak për shkak të përfshirjes në politikë. Që prej 2004 e njoh. Bisedat me të kanë qenë personale. Nuk kemi patur biseda për ndonjë VKM.
Nuk njoh njeri as kush e ka shkruar as kush e ka marrë faksin. Nuk kam bërë asnjë padi por jam në dijeni se Bumçi e ka bërë një të tillë. Me Mediun njihem prej 1994. Kam marrëdhënie personale e miqësore. Nuk kam patur biseda për demontim me Mediun. Kam patur një bisedë me Mediun ditën e ngjarjes, ka qenë bisedë personale për sëmundje (një anëtar i familjes së tij). Nuk kam patur zhvilluar bisedë tjetër përveç kësaj.
Mihal Delijorgjin e njoh si sipërmarrës. E kam takuar vetëm një herë në 2008, pasi një klient donte të blinte një objekt te kompleksi i tij. Për këtë çështje kam patur disa telefonata me të. Nuk e dija se me çfarë merrej konkretisht Delijorgji. 44 telefonata nga janari deri në mars, nuk kanë qenë telefonata për aktivitetin e tij në Gerdec. Mihalin e mora në telefon kur ndodhi shpërthimi, për shkak se një familjar më kërkoi të interesohesha për shpërthimin pasi dikush i familjes së tij punonte aty.



