
Studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Arjon Kuçuku, vendimin e qeverisë për 5 vite punë me detyrim në Shqipëri për studentët e Mjekësisë, e sheh si një vendim drastik. Në emisionin MCN Economy, ai deklaroi se ka dakordësi shumë të madhe për protestën dhe pjesëmarrja është masive, marrë parasysh faktin që një pjesë e studentëve janë me pushime apo janë larguar në rrethe. “Nëse nuk do ketë tërheqje nga ana e qeverisë do shkojmë në bojkot. Që në momentin që vendosa të studioj mjekësi të përgjithshme nuk kam pasur ndërmend të largohem nga Shqipëria për vetë natyrën time patriotike. Por nuk mund të jem dakord me detyrimin që bën vendi im se shkel të drejtat themelore të njeriut dhe përbën një precedent për të ardhmen. Nesër nëse kemi një krizë energjetike, nuk do lejohen inxhinierët e energjetikës të largohen nga Shqipëria, krijohet një precedent i rrezikshëm për të ardhmen dhe për mënyrën e qeverisjes së vendit. Është veprim autoritar që krijon një precedent të rrezikshëm. I vetmi vend që ka marrë masa të tilla, është Kuba. Në dijeninë time edhe në Lindje nuk ka masa të tilla, i vetmi vend nga merret ky model është Kuba. Ka modele të tjera në një vend siç është Gjermania, ku një student i mjekësisë nuk arrin ta fitojë mjekësi e përgjithshme me forcat e tij, një studenti i ofrohet mjekësi e përgjithshme me kushtin që të kontribuojë X vite në Gjermani, por jo është një mënyrë tjetër. Por jo që të bllokosh nga viti i parë deri në të gjashtin, ai që do ndërmarrë hapat të studiojë mjekësi e përgjithshme mos të ketë asnjë mundësi tjetër veçse të punoj 5 vite me detyrim në Shqipëri. Kjo e pengon studentin të ndjekë karrierën. Dikush mund të shkojë dhe për specializim. Jo vetëm shkelim të drejtat por humbim një aset siç është specializimi që mund të bëhet jashtë dhe do kthehet në Shqipëri. Nuk është paragjykuese, dihen standardet e Europës.” Sa i takon shumëfishimit të tarifës për studentët e mjekësisë që nuk pranojnë të firmosin kontratën, deklaroi se kostoja nuk mund të barazohet me privatin, për sa kohë që mungojnë kushtet.



