Mbi tre mijë persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit në të gjithë botën, pasi Kina raportoi 42 vdekje të tjera.
Pjesa më e madhe e humbjeve njerëzore, mbi 90%, është shënuar në Hubei, një provincë kineze ku virusi u shfaq në fund të vitit të kaluar.
Megjithatë, numri i vdekjeve është shënuar edhe në 10 shtete të tjera, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm vdekjesh në Iran, mbi 50 persona të vdekur, dhe më shumë se 30 persona në Itali.
Në të gjithë botën është raportuar se të paktën 90 mijë raste janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi COVID-19, duke shënuar kështu një rritje të numrit të të prekurve më shumë në vendet e tjera, se brenda Kinës, vendit që u përhap fillimisht në fillim të muajit dhjetor.
Megjithatë, sipas OBSH-së, shumica e të prekurve janë shfaqur me simptoma të lehta, ndërsa shkalla e vdekjes raportohet të jetë diku mes 2 përqindshit dhe 5 përqindshit.
Organizata thekson se nëse krahasohet me gripin sezonal, shkalla e vdekshmërisë mesatare shkon tek rreth 0,1 përqind, por gripi është akoma edhe më shumë infektiv, duke kapur shifrën e 400 mijë njerëzve që vdesin prej tij çdo vit.
Llojet e tjera të koronaviruesit, të tilla si sindromat e rënda akute të frymëmarrjes (SARS) dhe sindroma e frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS), kanë nivele shumë më të larta të vdekshmërisë sesa COVID-19.
Si është gjendja në botë
Ndërsa shkalla e të prekurve nga virusi në Kinë ka pësuar ulje, pjesa tjetër e botës ka përjetuar një rritje të të prekurve.
Situata problematike paraqitet në Itali, ku deri tani kanë humbur jetën 34 persona, ndërsa rreth 1700 janë të infektuar.
Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet edhe në Korenë e Jugut dhe Iran, ku raste të reja janë identifikuar me virusin vdekjeprurës.
Raste me koronavirus ka edhe në Francë dhe Gjermani, në disa vende të Ballkanit, ndërsa virusi ka prekur edhe Amerikën Latine.
Që nga mbrëmja e së dielës, 88 raste të koronavirusit ishin identifikuar në Shtetet e Bashkuara. SHBA-të, konfirmuan vdekjen e dytë me koronavirus. Burime shëndetësore amerikane thanë se është regjistruar edhe rasti i parë i infeksionit në New York.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA ka të gjitha mjetet për t'u përballuar me epideminë./BBC-Reuters/TVT.al/



