
Javët e fundit, miliona ukrainas janë larguar nga vendi i tyre. Por tani që trupat ruse janë tërhequr nga zonat në veri të Kievit, gjithnjë e më shumë refugjatë po kthehen në shtëpitë e tyre.
Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Ukrainës, gjysmë milioni njerëz janë kthyer tashmë në vendin e tyre.
Në stacionin e autobusëve të Varshavës, linjat e ukrainasve që presin të kapin autobusin për t’i çuar në shtëpi, janë shtuar. Katër javë më parë, për shumë qytetarë të arratisur nga lufta, Varshava ishte destinacioni përfundimtar për të shkuar në zonë të sigurt.
Tashmë kryeqyteti i Polonisë është shndërruar në pikënisjen e kthimit në Ukrainë, raporton rainews.
Arsyet për ata që bëjnë këtë zgjedhje janë të ndryshme. Disa vendosin të kthehen në shtëpi pasi situata është më e sigurt në zonat nga vijnë, ku rusët janë larguar.
Të tjerët nuk kanë mundur të gjejnë strehim të përshtatshëm në Poloni dhe nuk kanë zgjidhje tjetër përveç kthimit. Në të gjithë ata që bëjnë këtë zgjedhje, nostalgjia lufton me frikën, pasi askush nuk ndihet plotësisht i sigurt për të shkuar në shtëpi.



