
Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta filloi sot punën e tij. Hapi i parë që do të ndërmerret, do të jetë ngritja e një sekretariati teknik që do punojë edhe gjatë muajit gusht. Ndërkohë, brenda muajit korrik komisioni hetimor do të zhvillojë dhe 3 ose 4 mbledhje të tjera
Kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja është shprehur se Presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën për veprimet për zgjedhjet.
“Komisionit Hetimor ka për qëllim të hetojë punën dhe kompetencat për presidentit Ilir Meta në lidhje me zgjedhjet. Sjellja dhe qëndrimet e Metës për zhvillimn e zgjedhjeve, Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. Ne do të hartojmë një raport që do tja paraqesim Kuvendit pas hetimeve”, u shpreh Ulsi Manja.
Ndërsa Bashim Fino ka deklaruar se kjo procedurë ka nisur me këmbë të mbarë pasi nuk ka asnjë ankimim.
"Kam një konstatim për të bërë. Letra e presidentit që ai e quan dekret për anulimin e zgjedhjeve u zhvlerësua nga KQZ. Nuk ka deri më sot asnjë perifrazim nga ana e juristëve të PD për këtë dekret. Ajo letër presidenciale duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Qoftë PD apo LSI kanë gënjyer veten. Asnjëri nuk iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Ky komision e nis punën pa asnjë ankimim. Jam i bindur se nuk do ketë ankim as për 13 tetorin. Ky komision është i rrallë", tha Fino.
Kryetari i Komisionit Ulsi Manja, deklaroi se deri në mbledhjen e ardhshme dy bashkë-relatorët duhet të përgatisin një projekt rregullore dhe plan paraprak për punën e këtij komisioni.
Kuvendi i Shqipërisë, gjatë seancës të së hënës, miratoi me 101 vota pro dhe 6 kundër ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën, me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Komisioni, i cili do të zgjasë tre muaj, ka në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re.



