Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ledion Krisafi tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se rritja e të djathtës ekstreme në PE lidhet me rritjen e emigracionit dhe kriminalitetit. Megjithatë ai thekson se nuk do të ketë ndonjë ndikim në procesin e integrimit në të ardhmen e afërme, pasi boshti i BE-së do mbeten partitë e qendrës së djathtë dhe ato social-demokrate.

"Ka pasur një rritje të lehtë të të djathtës ekstreme mbi të gjitha, sepse e djathta e qendrës vazhdon të jetë boshi qendror i Parlamentit Europian dhe i gjithë BE-së. Pritej një rritje e tillë e të djathtës ekstreme, është pasojë e emigracionit pa kufij, është pasojë e rritjes së kriminalitetit sidomos në Europën Perëndimore. Ekstremi i djathtë supozohet të japë zgjidhje të shpejta problemeve të tilla. AFD-ja në Gjermani pretendon se zgjidhje e emigracionit është të dëbojë një pjesë të madhe të emigrantëve në Gjermani. Votuesit e këtyre vendeve ishin të qartë në mesazhin për liderët e tyre, elitave politike, që kjo situatë duhet të ndalojë, sepse nëse nuk ndalon e gjithë e ardhmja juaj politike, e kastës liberale, s’do jetë më në politikë. Ka pasur pak raste në historinë e Francës ku Presidenti dhe kryeministri kanë qenë të partive të kundërta. Macron bëri gjënë e duhur në këtë rast, pasi partia e tij ishte gati sa gjysma e votave të të djathtës ekstreme të Le Pen. Si një politikan i përgjegjshëm dhe si për t’i dalë përpara rrezikut të një humbje akoma më të madhe Macron vendosi të bëjë zgjedhje. Pritet që e djathta ekstreme të ketë të njëjtën rezultat si në zgjedhjet europiane, por do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë, pasi e ka të vështirë të bëjë koalicion me parti të tjera. Por nëse e djathta ekstreme i fiton zgjedhjet në mënyrë të bindshme, Macron do bëjë një bast, duke e vendosur kreun e të djathtës ekstreme kryeministër. Për procesin e integrimit s’do ketë ndonjë ndikim të madh në të afërmen e afër, sepse partitë e qendrës së djathtë do vazhdojnë të jenë boshti i PE, dhe bashkë me social-demokratët e majtë do kenë shumicën për të vendosur për gjërat e mëdha të BE. Por kjo rritje pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos nëse parti të tilla jenë pjesë e koalicionit që do vijnë në pushtet, dhe një pjesë e tyre janë kundër integrimit të vendeve me shumicë myslimane, dhe Shqipëria është një vend me shumicë myslimane. AFD është kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër integrimit të vendeve me shumicë myslimane”.
Krisafi tha që nuk beson se do të ketë ndonjë pasojë për Shqipërinë fakti që Fredi Beleri do jetë pjesë e PE.
"Greqia këtë minibetejë të vogël me Shqipërinë fitoi pjesën e vet dhe duhet të jetë e kënaqur me kaq sa ka fituar. Nuk besoj se do të ketë ndonjë pasojë për Shqipërinë fakti që Fredi Beleri do të jetë pjesë e PE, pasi ka 720 eurodeputetë PE dhe nuk mund të ndryshojë një person i vetëm ndonjë gjë të madhe. Në të kaluarën kemi parë edhe eurodeputetë të tjerë nga Greqia që kanë mbajtur qëndrime ekstremiste ndaj Shqipërisë, por që shumica dërrmuese e PE ka vazhduar politikën e zakonshme ndaj Shqipërisë. Beleri do jetë një zë kritik më shumë në PE, por në tërësi s’do ndryshojë asgjë”.



