Eksperti i ekonomisë, Elvin Meka, thotë se në katër vitet e fundit në Shqipëri është krijuar një disbalancë mes arsimit të lartë shtetëror dhe atij privat, në favor të këtij të fundit. Këtu sipas tij ka rolin e vet edhe copëzimi i Universitetit të Tiranës. Sipas Mekës, vetëm duke rikonceptuar politikat arsimore mund të luftohet braktisja masive e programeve studimore.
Nuk është gjë e re. Mesatarisht Shqipërisë i mungojnë në rang republike çdo vit 2 ose 3 mijë studentë. Kjo lidhet edhe me faktorët demografikë që ndikon objektivisht.
Ajo që po vihet re është se për 4 vitet e fundit kemi një disbalancë mes sektorit privat dhe atij publik. Nëse 5-6 vite më parë, sektori publik zinte mbi 80%, sot janë 25% me 75%. Kemi tkurrje të universiteteve shtetërore ose publike. Jo se arsimi privat ka bërë namin, por vihet re rënia e arsimit publik. Mendoj se do të kemi mbyllje masive të degëve nëse nuk do të ketë një reformë urgjente, për të rikonceptuar arsimin e lartë në Shqipëri. Ne u nisëm nga një model i centralizuar, Universiteti i Tiranës u zhbë në 3-4 copa, që u humbën vlerën që kishte. Kjo vjen edhe nga copëzimi.
Sipas Mekës, këto janë pasoja të politikave të gabuara që ka ndjekur qeveria. Një nga hapat e parë që duhej të ishin marrë në këtë drejtim sipas tij është përllogaritja e saktë e kostos mesatare të një studenti.
Mënyra si është trajtuar çështja e arsimit të lartë, pasojat janë këto. Doktoraturat u bllokuan për 8 vjet. Në asnjë shtet nuk ka ndodhur kjo. Asnjë pikë e asaj çfarë planifikon kjo reformë ekonomike me ligjin e 2015 nuk është bërë. Nuk është përcaktuar kostoja mesatare për student. Sipas ligjit, qeveria duhej të kishte ngritur agjenci shtetërore që do të menaxhonin llogaritjen e kostos dhe shpërndarjen e llogarive për studentët, si mbështetje buxhetore. Shteti nuk jep asgjë, por e lë në rënie të lirë çdo gjë që ndodh. Ky vit është për herë të parë që kemi aplikime mbi 10 mijë studentë që duan të ikin jashtë. Tani janë të ikur 10 mijë. Kjo është katastrofale.



