Dega e Al Kaedës në Afrikën Veriperëndimore nxiti sot ndjekësit e saj të vrasin këdo që fyen Profetin Muhamed dhe kërcënoi presidentin francez, Emmanuel Macron, për kritikat e tij mbi islamin.
Muajin e kaluar, Macron mbrojti botimin e karikaturave të profetit Muhamed dhe paralajmëroi një fushatë kundër radikalizmit islamik, një qëndrim që shkaktoi zemërim në të gjithë botën myslimane.
"Të vrasësh këdo që fyen profetin është e drejtë e secilit mysliman", tha grupi xhihadist, i njohur me shkurtesën e tij franceze AQMI, në një deklaratë.
Presidenti francez i bëri deklaratat që fyen myslimanët pas ngjarjes në Paris, ku nmësuesit Samuel Paty iu pre koka nga një xhihadist i dyshuar, pasi u kishte treguar studentëve të tij karikaturat e profetit Muhamed gjatë një mësimi mbi lirinë e shprehjes.
Ngjarja erdhi pas ribotimit të karikaturave të diskutueshme në shtator nga e përjavshmja satirike franceze “Charlie Hebdo”. Macron është zotuar të mbrojë lirinë e fjalës, por zemërimi në botën arabe është manifestuar fillimisht me bojkotin e produkteve franceze.
"Bojkoti është detyrë, por nuk mjafton", thotë AQMI në deklaratë të cituar nga AFP.
Dega e Al Kaedës kërcënon se do të hakmerret për komentet e Macron, duke e cilësuar presidentin francez "të ri dhe të papërvojë, me pak tru".



