
Duke nisur nga e hëna, në sekretariatet e universiteteve, dy përfaqësues të qeverisë do t’u shpjegojnë studentëve VKM-të që kanë të bëjnë me ta. Lajmin e bën të ditur kryeministri Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Nga nesër në sekretariatet e universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të ministrive të financave e të arsimit, për të asistuar studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit. Me studentët”, shkruan Rama.
Pavarësisht se nuk e vijuan më protestën e nisur në fillim të dhjetorit, disa prej studentëve vijojnë të bllokojnë zhvillimin e procesit mësimor në fakultete. Në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, grupe studentësh janë ngujuar që prej tre ditësh. Përplasjet me policinë private dhe atë shtetërore nuk kanë munguar.



