Andi Tepelena nga Aleanca për Teatrin i pranishëm ditën e sotme në protestë ka deklaruar për MCN se nisja sot e punimeve për Teatrin Kombëtar është hapja e gropës për trashëgiminë kulturore.
Ai tha se kjo do regjistronte plagën më të madhe që do të lërë shenjë në ndërgjegjen tonë, ndërsa shtoi se projekti nuk është aspak transparent dhe se është momenti që SPAK të veprojë dhe të nisë punën me këmbë të mbarë.
Sot po hapet gropa për teatrin që është gropa që po i bëhet trashëgimisë kulturore. Kjo është një ditë e trishtë për ne që kemi 3 vjet që kemi bërë betejën tonë, por dhe për të gjithë qytetarët sepse shteti nuk po pyet më për askënd dhe asgjë. Projekti nuk është transparent, zëri i qytetarëve nuk dëgjohet dhe kjo do regjistronte përfundimisht plagën që do lërë shenjë në ndërgjegjen tonë. Fituesi i projektit do të jetë ndonjë klientelist pranë Veliaj, s ka konsultim me publikun, në këtë moment është ai moment që SPAK të fillojë me këmbë të mbarë sepse është një nga çështjet më flagrante dhe drejtësia duhet të vendosë drejtësi. SPAK duhet të pezullojë punimet derisa të shprehet gjykata.
Ndërsa qytetarët nga ana e tyre e kanë cilësuar këtë si një vepër kriminale, ndërsa prezencën e policisë e kanë cilësuar një simbol të dhunës. Ata shprehen se është për të ardhur keq që në protestë kanë dalë shumë pak persona, por sipas tyre populli është manipuluar dhe kjo është e turpshme.
Aleanca për Teatrin ka nisur protestën e saj për një vepër kriminale që po bën bashkia. Një vepër kulturore nuk bëhet me polici sepse kur bëhet me polici është vepër kriminale. Teatri duhet të rindërtohet atje ku ishte dhe si ishte. Kjo nuk është vepër e mirë, është vepër që vjen erë. Ne nuk kemi armë dhe polici, si Erion Veliaj, ne jemi qytetarë të ndershëm, jo kriminelë.
Ne erdhëm këtu sepse na vjen keq për atë teatër, ne e duam atë vend, duam të eci sepse s’kemi interesa. Duhet të ngrihemi, por rinia ka ikur sepse vendi po boshatiset me këtë shtet. Rama po e shkatërron këtë vend. Rama të mbledhë trutë e kokës, ose të drejtojë ose të largohet sepse nuk duam të na drejtojnë njerëz të pandërgjegjshëm. Teatrin e duam aty ku ishte dhe si ishte sepse më dhimbset. Duhet të ndërgjegjësohemi të tërë që ky vend të bëhet. Populli Tiranës është 1 mijë banorë dhe mblidhen këtu as 50 veta, është një popull që nuk reagon në raste të tilla ku 70% është në grahmat e fundit të jetës, manipulohet në një mënyrë të tillë. Kjo është diçka e turpshme.



