
SPAK ka rikonfirmuar vijimin e hetimeve në lidhje me abuzimet e fondeve të IPARD II.
I pyetur nëse është marrë ndonjë zyrtar aktual apo ish-zyrtar nën hetim, SPAK ka refuzuar të japë detaje të mëtejshme.
" Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre", ka deklaruar SPAK.
Gazetari Arsen Rusta në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live tha se çështja po hetohet nga Klodian Braho dhe se të dyshuar janë ish-ministrja Krifca, ish-drejtues dhe drejtues të AZHBR-së si dhe biznesmenë.
MCN Live ka mësuar që kjo çështje është në hetim nga kreu i SPAK, Klodian Braho. Pritet të ketë veprime konkrete. Të dyshuara janë ish ministrja Krifca, ish-drejtues dhe drejtues të AZHBR-së, por edhe disa biznesmenë që përgjatë javëve që kemi lënë pas janë pyetur nga SPAK. Ka pasur sekuestro të dokumentacionit.



