Kreu i AKR-së në Kosovë, Behgjet Pacolli, është solidarizuar me popullatën civile në Alepo të Sirisë. Biznesmeni kosovar ka kontribuar duke u ardhur në ndihmë civilëve në Alepo me anë të fondacionit të tij. “Nuk po mund të qëndroj indiferent ndaj gjendjes aktuale në Siri. Pamjet e fundit nga Alepo janë sinonim i dobësisë njerëzore, ato tregojnë se egoja e njeriut për pushtet nuk njeh limite. Pushteti po ushqehet me gjakun e njomë të fëmijëve të pafajshëm, që në gjendje normale do të ishin e ardhmja e vendit. Popullata civile në atë vend ka mbetur pa shpresë dhe pritjen e vetme që ka është momenti se kur do të vdesin.
Kjo është e pafalshme, e papërsëritshme dhe e tmerrshme! Këto ditë jam angazhuar maksimalisht që nëpërmjet fondacionit tim t'i dalë në ndihmë popullatës civile në Alepo. Është më e pakta që mund të bëj në këto rrethana të vështira. Populli ynë që ka përjetuar historikisht tragjedi dhe ka qenë viktimë e krimeve ndaj njerëzimit i përjeton shumë rëndë ato pamje. Plagët tona janë ende të hapura”, ka shkruar Pacolli në Facebook.



