
Ishte vetëm 23 vjeç kur policia ndërhyri në Lazarat duke shkatërruar çdo parcelë të mbjellë me kanabis. I rezervuar për të treguar identitetin, ky i ri nga fshati që mori famë edhe jashtë vendit e ka ende në kujtesë situatën që u krijua si në familjen e tij por edhe në fshat nga aksioni disaditor i forcave Renea.
23-vjeçari thotë se çdo gjë nisi nga varfëria. Pjesë e nje familje prej 5 anëtaresh, kultivimi i kanabisit ishte shpresa e vetme për të ngritur mirëqënien. Puna nisi fillimisht me kultivimin e 50 rrënjëve dhe me paratë e para të fituara prej saj rindërtuan shtëpinë që më herët ngjante si një kasolle.
Ekonomia në familjen e tij nisi të stabilizohej dhe kur mendonin se gjithçka po ecte mirë, policia mësyn në banesën e tyre duke shkatërruar bimët narkotike dhe sekuestrimin e gjithçka që ishte vënë nga të ardhurat e fituara nga hashashi. Në burg përfundoi i ati.
Kanë kaluar disa vite nga ajo kohë dhe familja e tij ka bërë një kthesë në mënyrën e jetesës. I riu tregon se u largua jashtë shtetit dhe pas dis vitesh u kthye për t’iu përkushtuar menaxhimit të një biznesi në kryeqytet.
Banorët e Lazaratit periudhën e vitit 2014-2015 e kujtojnë si një terren lufte. Për ta, ajo është një plagë e thellë për të cilën pakkush guxon të flasë.



